Klotilda Bushka përgënjeshtron SPAK dhe përmend familjen: Si t’ua shpjegoj shokëve të fëmijëve që jam e pafajshme?

Deputetja socialiste, Klotilda Bushka, ka folur në mbledhjen e grupit të PS-së në lidhje me akuzat e SPAK ndaj saj, se ka penguar drejtësinë të hetojë Erion Veliajn.

Ajo pranoi se bashkëshorti i saj i ka faturuar shërbime interneti një OJF-je, organizatës BYL-A, në vlerën totale 112 mijë lekë për disa vite. Por sipas SPAK, kjo kompani që drejtohej nga kushërira e saj Ina Goxhaj i kishte zyrat pikërisht në apartamentin e Bushkës.

Më pas, ashtu siç bëri Veliaj në reagimet e tij dhe Rama në konferenca, edhe Klotilda Bushka përmendi familjen, duke thënë se nuk ka si t’ua shpjegojë fëmijëve dhe shokëve të tyre se ajo është e pafajshme.

“Bashkëshorti im ka një biznes në formën e personit fizik që ofron shërbime që prej vitit 2006 dhe i ka faturuar një OJF-je, BYL-A, shërbime interneti në total për disa vite 112 mijë lekë, me faturë fiskale të paguara në bankë.

Kaq vlen dinjiteti dhe emri im? Si balancohet kjo mbi koston e krijuar mbi emrin, nderin dhe reputacionin tim? Po mbi familjarët e mi? Prindërit e mi të moshuar që kanë rritur fëmijët si gjithë prindërit tanë, që sot dëgjojnë se vajza e tyre është nën hetim.

Si t’ia shpjegoj vajzës time 13 vjeçare, djalit tim 17 vjeçar, si t’ia shpjegoj unë shokëve të tyre. Si t’ua shpjegoj se mamaja e shokut dhe shoqes së tyre është e pafajshme”, tha Bushka.

Për sa i përket akuzës për pengim të drejtësisë, Bushka u shpreh se e ka këshilluar Ina Goxhajn të thotë vetëm të vërtetën. Kështu, deputetja socialiste përgënjeshtron SPAK, që në dosje thotë se Bushka ka intimiduar Goxhajn të mos nxjerrë emrin e Ajola Xoxës.

“Për sa i përket akuzës për pengim të së vërtetës. Po, e kam takuar. Ina Goxhaj është kushërira ime. E kam këshilluar të thotë të vërtetën. Si juriste e kam këshilluar, nuk e kam penguar të thotë asgjë dhe nuk i kam hënë të fshehë ndonjë të vërtetë. E kam kritikuar për faktin se adresa e organizatës ku ajo kishte qenë drejtoreshë nuk ishte ndryshuar. Nuk di çfarë presioni mund të ketë ndjerë kushërira ime që deklaratat private i ka sjellë në një kontekst tjetër”, u shpreh ajo.