Veliaj në burg, Rama shkon për herë të dytë brenda ditës në Bashkinë e Tiranës

Kjo e martë ka qenë një ditë e ngjeshur për kryeministrin Edi Rama, i cili përmes disa reagimeve mori në mbrojtje kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i arrestuar një ditë më parë për korrupsion dhe pastrim parash.

Pasditen e sotme, Rama u rikthye për herë të dytë në Bashkinë e Tiranës, pasi gjatë paradites ai u takua me 5 nënkryetarët e saj, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Anuela Ristani, Frida Pashako dhe Jonida Halili. Vizitat e tij në bashkinë më të madhe të vendit lidhen me drejtimin e saj, se cili prej nëndrejtorëve do të komandohet në krye të Bashkisë Tiranë pas arrestimit të Veliajt.

Ndërkohë Erion Veliaj ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, këtë herë duke sulmuar drejtpërdrejt prokurorin e çështjes , Olsi Dadon, të cilin e quan “individ pervers”.

Madje sipas Veliajt, Olsi Dado po i shërben Sali Berishës, pasi është e pamundur që kryedemokrati t’i kërkojë falje një personi nëse nuk po i bën një shërbim të pamundur.