Berisha akuzë të fortë Niko Peleshit: Trego pse ia thyen këmbën truprojës tënd në Selanik

Në seancën e sotme plenare, kreu i PD, Sali Berisha ka hedhur një akuzë të fortë ndaj kreut të grupit të PS, Niko Peleshi. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha akuzoi Peleshin si i ka thyer këmbën truprojës së tij në Selanik.

“Niko, thuaja pse ia thyen këmbën truprojës tënd në Selanik. Për çfarë mëkatesh ia bëtë atë?” – deklaroi Berisha, duke e sfiduar ministrin të tregonte të vërtetën. Madje sipas Berishës, ka edhe prova, fotografi që e dëshmojnë.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te zv.kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën tha se po feston për arrestimin e Erion Veliajt.

“Lubia e ka mendjen te thasë me para. Ku është sot ajo? Apo po feston, po hap shishe shampanje për burgosjen e Erion Veliajt. Jap fjalën e nderit se te Erioni do shkojë ajo, sepse zullumqare si ajo s’ka patur kurrë Shqipëria. I them që sot shko mblidh kriminelë, banditë, çfarë të duash, por ti nuk do të sosësh kurrë në këtë parlament më. Je një delikuente që nuk ke shok më. Tani është radha e saj”– tha Berisha.