Arrestimi i Erion Veliajt, socialistët “kyçin gojën” para gazetarëve

Deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë komentuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Pasi u thirrën në një mbledhje urgjente të grupit parlamentar të PS, ata janë thënë se nuk komentojnë veprimet e drejtësisë. Të paktën kështu janë shprehur dy prej ligjvënësve socialistë, Toni Gogu dhe Lavdrim Krashi.

“Nuk kam komentuar vendimet e drejtësisë, por Erion Veliaj ka qenë e do të mbetet mik i mirë i imi” tha Toni Gogu.

“PS nuk ndërhyn në punët e drejtësisë dhe nuk komenton ato” tha Lavdërim Krashi.

Kujtojmë se pas arrestimit të Veliajt, kryeministri Edi Rama la në mes angazjimet që kishte në Shkodër dhe u kthye në Tiranë.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK ka zbardhur skemën se si Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij në të paktën 10 raste kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim parash. Sipas SPAK, fonde publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar tek Ajola Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo.

Ndërkohë janë sekuestruar llogaritë bankare të Ajola Xoxës në shumën 869 mijë euro si dhe nga kontrollet në qendrën Harabel janë gjetur 95.350 euro, 14.900 dollarë dhe 665 mijë lekë, të cilat po ashtu janë sekuestruar.

Ndërkohë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv” kanë dhënë përfitime të parregullta ndaj  Veliajt dhe Xoxës, duke përfituar fonde publike dhe leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të dyshimta dhe transaksioneve të fshehura.