Shpërndanin foto dhe video intime/Policia e Korçës zbardh skemën, arrestohen dy vajza që shantazhonin bashkëmoshatarët

Policia e Korçës ka identifikuar dhe ka arrestuar dy vajza (njëra prej tyre e mitur), të cilat dyshohet se janë “administratore” të një faqeje në rrjetin social “Instagram”, tek e cila publikoheshin foto, video intime si dhe të dhëna të tjera sensitive për adoleshentë dhe nxënës shkollash të disa zonave, të shoqëruara me fjalë denigruese.

Policia theksoi se kjo faqe është mbyllur tashmë. Shpërndarja e imazheve ka dëmtuar rëndë reputacionin e vajzave adoleshente, duke i bërë të ndihen të fyera dhe të poshtëruara.

Sipas policisë, të dyja vajzat akuzohen për veprën penale “Pornografia me të mitur”.

“Nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale: P. M, 19 vjeçe, banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin materiale me përmbajtje bullizuese dhe denigruese.17-vjeçare, banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit”,- njofton policia.