Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe 7 të pandehurve të tjerë, për gjykim të shkurtuar lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Përveç Kokës, gjykimi i shkurtuar u pranua edhe për Bledar Karolin, Erjon Muratajn, Taulant Tushën, Namik Simixhiun, Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun dhe Jetmir Llapajn.
Po ashtu u pranua kërkesa e katër të pandehurve të tjerë, konkretisht, Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi për tu gjykuar me procedurën e zakonshme si dhe për ndarjen e çështjes nga pjesa tjetër.
12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës. Në seancën e ardhshme, pritet që prokurori Dritan Prençi të japë konkluzionet për 8 të pandehurit, ndërkohë që për katër të tjerët do vijojë gjykimi.
Ndërkohë hetimi për ish-deputetin e Partise Socialiste Alqi Bllako është ndarë më vete. Kjo për faktin se Bllako akuzohet për korrupsion.