“Një çati për kulturën,” – Nisma për të mbrojtur trashëgiminë e Ndre Mjedës

Një ndërtesë neoklasike rrëzë malit të Kakarriqit në fshatin Kukël, që shtrihet mes Lezhës dhe Shkodrës, mbërthen përtej horizontit Zadrimën. Fshati të ofron një nga pamjet më piktoreske të zonës, sikurse dhe një hapësirë kujtese dhe trashëgimie për një prej figurave kyçe të letërsisë dhe historisë shqiptare, Ndre Mjedën.

Qendra muzeore “Ndre Mjeda” është një kompleks që bën bashkë shtëpinë e Mjedës ku jetoi për rreth 30 vite dhe kishën, të dyja të projektuara dhe ndërtuara nga vetë ai në periudhën 1907-1913.

Prej vitit 2012, kompleksi mban statusin “Monument Kulture”.

Mirëpo, ajo çfarë na solli në Kukël, nuk është kompleksi muzeor, por një ndërtesë njëkatëshe pranë kompleksit, ndërtuar po në vitin 1913, ku besohet se Mjeda u frymëzua për të shkruar vargjet e “Andrra e Jetës”.

“Një çati për kulturën” është nisma e fundit e ndërmarrë nga studiues të trashëgimisë kulturore dhe muzeologjisë për të rehabilituar dhe rijetëzuar këtë ndërtesë.

“Emergjente është ndërhyrja që ka të bëjë me çatinë, iniciativa është e fokusuar në këtë pjesë më pas pjesën e brendshme të kësaj ndërtese, e ndërtuar me gurë dhe dritare të vogla që janë tipike për këtë zonë në veri të Shqipërisë,” shpjegoi Inesa Sulaj, eksperte e muzeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.

Inesa tregoi se çatia e re është menduar të ketë dritare për të mundësuar ndriçim natyral. Për të, njohja me Mjedën ka nisur kur zgjodhi të studionte figurën e Mjedës për qëllime akademike. Kësisoj, kjo nismë qëndron përpos profesionit të saj.

“Jam njohur me figurën e Mjedës diku rreth 10 vite më parë në momentin që po studioja për të bërë temën e diplomës dhe doja të merresha specifikisht me rikonceptimet e muzeve. Jo vetëm një poet shumë i njohur, meshtar i devotshëm, por edhe albanolog shumë i mirë, i cili kryente letërkëmbime me albanologë dhe gjuhëtarë të njohur në Evropë duke përmendur këtu edhe Gustav Meyer, një arkitekt shumë i zoti, i cili projektoi dhe zbatoi disa nga kishat në veri të Shqipërisë, që i gjejmë në një gjendje goxha të mirë edhe sot”, ndan Inesa nga perspektiva e saj për figurën e Mjedës.

Sipas ekspertes së kulturës, rehabilitimi i kësaj ndërtese, e cila tanimë nuk ka një funksion të qenësishëm, synon të rijetëzojë të gjithë zonën e fshatit Kukël duke nxitur dhe ekonominë lokale dhe pjesëmarrjen e komunitetit.

“Ashtu si Mjeda që erdhi me një plan në vitin 1907, duke marrë një sfidë përsipër, për ta kthyer këtë zonë nga një zonë moçalore, në një zonë të jetueshme, megjithëse ai donte ta kthente përmes bujqësisë, iniciativa jonë do që të ndihmojë banorët për të mos u larguar, por edhe të rikthejë disa nga ata që mund të jenë larguar në qytete dhe për t’iu dhënë mundësi që nëpërmjet kësaj qendre të krijohen produkte të ndryshme artizanale dhe produkte të zonës, lëngu i shegës, lëngu i thanës, produkte të tjera që kjo zonë ofron,” shton më tej Inesa.

Përpos të rinjve dhe zonjave të komunitetit, hapësira do t’iu ofrohet edhe artistëve dhe studiuesve të veprës së Mjedës, por jo vetëm.

“Ne duam ta afrojmë këtë hapësirë edhe për aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike duke filluar nga ekspozita, workshope, punëtori, trajnime dhe gjithashtu rezidenca artistike, mundësinë e zhvillimit të disa konferencave, duke pasur në fokus edhe zonën, por gjithashtu edhe figurën e Mjedës,” përfundon Inesa.

Ndërtimi i një çatie të re për ndërtesën e gurtë, sipas arkitektëve që kanë punuar projektin, kushton 25 mijë euro, ndaj organizata “Art Kontakt” ka hapur një thirrje për kontribute monetare, dhe jo vetëm, për të ruajtur këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së Mjedës.

Këto fonde do të përdoren fillimisht për riparimin e menjëhershëm të çatisë, për ti dhënë një formë identitare më pas të gjithë ndërtesës. Citizens.al