SIMBOLIKA/ Tradita shekullore në Spanjë, kërcimi me kuaj mbi zjarr

Në Spanjë, një vend i festivaleve, kuajt kërcyen mbi zjarr duke e kujtuar traditën e mbetur prej shekullit të 18-të, raporton Anadolu.

Në kuadër të festivalit “Las Luminarias” që zhvillohet çdo vit më 16 janar në fshatin San Bartolome de Pinares prej 550 banorësh, në qytetin verior Avila, të mbledhur në qendër të fshatit me kuajt e tyre, banorët vazhduan një traditë të trashëguar nga paraardhësit e tyre.

Në mbrëmjen ku zjarri, tymi dhe kuajt ishin aktorë kryesor, kuajt duke kërcyer mbi zjarret e ndezura në pjesë të ndryshme të qendrës së fshatit krijuan pamje shumëngjyrëshe.

Festivali i “Las Luminarias”, i ndërtuar në kujtim të Shën Antonit, i cili besohet se mbron kafshët sipas besimit katolik, ka një rëndësi për banorët vendas në aspektin fetar, kulturor dhe shoqëror.

Teksa ranë kambanat e kishës, kuajt u rreshtuan njëri pas tjetrit, u bekuan nga prifti i kishës dhe më pas parakaluan rreth qendrës së fshatit të shoqëruar nga një bandë, duke kërcyer mbi zjarret e ndezura në rrugë gjatë gjithë natës.

Sipas besimit, kërcimi i kuajve mbi zjarr mbron gjatë vitit banorët e fshatit dhe kafshët nga sëmundjet dhe nga e keqja.

Përderisa banorët e fshatit përdorin tymin për t’u pastruar nga e keqja, degët e freskëta të pemëve digjen për të krijuar më shumë tym.

Shumë fotografë mbërritën në fshat për shkak të festivalit të pasur vizualisht.

Një ngjarje e ngjashme mbahet edhe në jug të vendit, në fshatin Villar del Rey të qytetit Badajoz, ndërkaq grupet e të drejtave të kafshëve pohojnë se kuajt që kalojnë mbi zjarre vuajnë dhe se kjo traditë duhet të marrë fund.

Nga ana tjetër, këtë javë në Spanjë kremtohet festa e Shën Antonit, ku gjatë aktiviteteve priftërinjtë në shumë pjesë të vendit po bekojnë kafshët shtëpiake të sjella në kishë.