U hodh nga kati i 11-të, gazetarja zbulon mesazhin e fundit të policit që arrestoi djalin e Samir Manes: Duan të më…

Efektivi i Policisë Rrugore Azbi Spahiu ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës pasi u hodh nga kati i 11-të i një pallati në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

Ai ka rënë fillimisht mbi telat e internetit dhe më pas është përplasur në tokë. Ndonëse kabllot i kanë ndaluar shpejtësinë, 57-vjeçari Azbi Spahiu ka marrë lëndime të rënda.

Efektivi Spahiu pak ditë më parë arrestoi djalin e biznesmenit Samir Mane, Martin Mane. Ky i fundit ishte i dehur në timon dhe përplasi disa makina para Kuvendit të Shqipërisë. 

Gazetarja e njohur e kronikës së zezë Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka rrëfyer detaje shtesë për ngjarjen, e cila tronditi rëndë kryeqytetin.

Ajo konfirmoi se polici, Azbi Spahiu, ka qenë në grupin e personave që kanë ndaluar djalin e biznesmenit Samir Mane, pasi ky i fundit ka përplasur disa mjete dhe ka kundështuar kryerjen e testit të alkoolit.

Më pas polici është thirrur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe sipas gazetares i është kërkuar llogari për veprimet që ka kryer.

Gazetarja Lala theksoi se ngjarja kërkon një hetim urgjent se çfarë ka ndodhur, ndërkohë që deklaroi se Azbi Spahiu, para se të hidhej nga lartësia i ka dërguar mesazhe të birit, ku i thotë se duan t’i shkatërrojnë karrierën. 

“Azbi Spahiu është 57 vjeç dhe është në Reanimacionin e Traumës, gjendja tashmë është e stabilizuar.  Azbi Spahiu ka trajtuar rastin e djalit të Samir Manes, i cili ka goditur disa mjete të parkuara në rrugë. Është konstatuar nga punonjësit e policisë. Nuk ka pranuar të bëjë testin e alkoolit dhe normalisht si rregull, kur një individ refuzon ka mekanizma se si mund të bëhet testi i alkoolit.

Është vendosur të arrestohet dhe është shoqëruar në bllokun e sigurisë. Nuk ka qëndruar gjatë sepse ka pretenduar se nuk është mirë dhe është transferuar në spital. Të nesërmen është liruar nga prokurori që e ka konsideruar arrestimin të paligjshëm. Nuk është dokumentuar historia. Azbi Spahiu është thirrur nga zyrtarë të AMP dhe i është kërkuar llogari pse është bërë. Gjendur në kushte presioni ai i ka shkruar të birit, duke thënë se po i shkatërronin karrierën me lojëra, dhe pastaj është hedhur nga lartësia.Është një çështje që duhet hetuar. Nëse Martin Mane është arrestuar dhe ka qenë nën efektin e alkoolit duhej bërë testi i alkoolit dhe të mbahej përgjegjësi. Nëse Martin Mane është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe vetëm se është djali i biznesmenti, atëherë mund të ngremë dyshime se ndoshta struktura bën shantazh. Në të dyja drejtimet po ta kapim, duhet një hetim. Sot jam në krahun e Azbiut sepse ai është hallka më e dobët, ku është tentuar të shkarkohet e gjithë përgjegjësia.Nëse është arrestuar dhe është favorizuar ka nevojë për hetim. Nëse është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe është tentuar sulm ndaj Samir Manes, duhet sërish hetim. Heshtja e insitucioneve më bën të dyshoj se nuk është një situatë bardhë e zi. AMP nuk ka asnjë hetim penal në lidhje me këtë situatë. Nëse punonjësit e policisë e kanë shkelur, pse nuk ka procedurë hetimore?

Mjegullnaja që është hedhur ngre dyshime. Duke e parë Azbiun si hallkën më të dobët, por duke i njohur edhe integritetin, në të gjithë kërkimet që kam bërë dhe bisedat që kam patur me kolegët e tij, e shohin dhe e pikturojnë si njeri me ndërgjegje të lartë profesionale, me etikë profesionale, prandaj jam krah Azbiut por kundër llumit që ka mbërthyer Policinë e Shtetit. Kam pyetur dhe kam bisedat me zyrtarë të policisë dhe asnjë nuk jepte shpjegime as për arsyet e shoqërimit të Martin Manes dhe as për lirimin e tij. Policia nuk ka patur kurajon të bëjë një njoftim sqarues por thjesht kanë thënë punonjësi i policisë është hedhur”, tha Lala.