Kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK. Teksa hynte në dyert e Prokurorisë së Posaçme ai u pyet nga gazetarët se përse ishte thirrur në SPAK, por shkurtimisht tha se nuk e di arsyen.
Kjo nuk është hera e parë që Isai paraqitet në SPAK. Më maj të vitit të kaluar ai u mor në pyetje nga prokurorët si person që kishte dijeni për tenderin e rrugës Korçë-Ersekë.
Mësohet se kryebashkiaku socialist është kallëzuar në SPAK nga Esmerald Xhafa, nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “fshehje e pasurisë” dhe për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Kujtojmë se dje në SPAK u paraqit edhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, e cila u pyet për rreth 2 orë mbi hetimet që po bëhen ndaj deputetit të PS, Bujar Çela, pasi në kapanonin e tij në mars të vitit të kaluar humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.