Përse opozita i trembet votimit elektronik?

Partia Demokratike ankohet shpesh se në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira me standarte europiane, por kur vjen rasti për të aplikuar metodat e votimit si shtetet europiane, është e para që nuk pranon.

Kjo është ajo që ndodhi vetëm pak ditë më parë gjatë negociatave të KQZ-së me dy partitë më të mëdha në vend, PS dhe PD, për të aplikuar votimin dhe numërimin elektronik në 5 qarqet më të mëdha në vend.

Opozita jo vetëm që nuk pranoi votimin elektronik në 5 qarqet më të mëdha, por kundërshtoi edhe votim e numërim elektronik vetëm në Tiranë, qarku më i madh që do të nxjerrë 37 deputetë në zgjedhjet e 11 Majit.

E ndodhur përballë këtyre rrethanave, KQZ pritet të mos bëjë votim elektronik në asnjë zonë zgjedhore, pra një qark të plotë. Procesi si projekt pilot, ose testimi, do të vazhdojë në qarkun Tiranë. Por, testimi nuk do të bëhet në nivel qarku, as bashkie, e as njësie administrative.

Mediat raportojnë se disa qendra votimi do të përzgjidhen në mënyrë të shpërndarë në mbarë Tiranën, në mënyrë që më shumë zgjedhës të testojnë dhe mësojnë këtë formë votimi.

Por pse PD refuzon votimin dhe numërimin elektronik?

Mund të jenë disa arsye, por duket se dy janë më kryesoret.

Sondazhet e zhvilluara deri më tani nxjerrin qartësisht Partinë Socialiste fituese, madje me një rezultat shumë herë më të mirë se ai i zgjedhjeve të vitit 2021. Sipas këtyre sondazheve, PS do të arrijë të marrë 80 ose më shumë deputetë, ndërsa PD në rezultatin më të mirë vështirë se merr 50 mandate.

Votimi dhe numërimi elektronik në 5 qarqet më të mëdha të vendit do të thoshte nxjerrje e rezultatit vetëm 1 orë pas mbylljes së qendrave të votimit, që sipas të gjitha gjasave do të përcaktonte edhe partinë fituese të zgjedhjeve, pasi këto qarqe kanë numrin më të madh të deputetëve.

Por votimi dhe numërimi elektronik do t’i hiqte mundësinë e alibive opozitës, që nuk do të kishte mundësi të fliste për vjedhje votash e manipulim rezultati.

Numërimi i votave në qendra numërimi siç është bërë gjithmonë i jep mundësi opozitës që herë pas here të vonojë edhe procesin e numërimit, duke kërkuar pushime dhe duke mos dërguar numëruesit të bëjnë punë e tyre, siç ka ndodhur pothuajse sa herë ka zgjedhje, duke marrë kohë për të krijuar alibi të ndryshme për humbjen.

Një tjetër arsye është edhe fakti se PS dhe PD do të kenë numëruesit e tyre në tavolinat e numërimit, ndërsa partitë e reja do të mjaftohen vetëm me vëzhgues.

Çfarë do të thotë kjo?

Tjetërsimi i votës në numërim nga një parti në një tjetër është pothuajse e pamundur, për shkak jo vetëm të vëzhguesve, por sepse çdo numërues që e ka bërë këtë në zgjedhjet e kaluara është përballur me dënimin me burg.

Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për votat personale brenda partisë. Nëpërmjet numëruesve, partitë mund të zgjedhin se cilëve kandidatë në listën e hapur t’ua “shtojnë” votat personale për tu dhënë mandatin.

Sigurisht që kjo nuk lejohet, por në raste të tilla KQZ ka treguar se “mbyll njërin sy”, për shkak se për çështje të tilla nuk ka thuajse asnjë kundërshti nga kandidatët, që e kanë zgjidhur me njëri-tjetrin.

Pra, votimi dhe numërimi elektronik janë “tmerri” i opozitës, që kërkon zgjedhje europiane, por nuk vepron si një parti e tillë.