Protesta e opozitës/ Bllokuan rrugën dhe nuk lejuan lëvizjen e automjeteve, ndiqen penalisht 7 persona

7 qytetarë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas protestës së opozitës ditën e djeshme para Bashkisë Tiranë.

Policia sqaron se procedimi penal ndaj tyre pasi dje rreth orës 11:00 kanë bllokuar rrugën dhe penguar qarkullimin e mjeteve përfshirë dhe ato të transportit publik dhe emergjencës duke vendosur një automjet në mes të rrugës.

Kujtojme se protestat e opozitës vijojnë prej disa muajsh teksa kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut, Erion Veliaj, pas dosjes korruptive “5D” dhe inceneratorit të Tiranës, ku sipas tyre Veliaj është përgjegjësi kryesor.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

A.L, 24 vjeç, E.V, 33 vjeç, B.K, 38 vjeç, A.K,53 vjeç, K.B, 36 vjeç, E.E, 35 vjeç dhe G.S, 56 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Procedimi penal në ngarkim të këtyre shtetasve filloi pasi, më datë 10.01.2025, rreth orës 11:00 gjatë tubimit të zhvilluar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, para Bashkisë Tiranë, kanë bllokuar rrugën dhe penguar qarkullimin e mjeteve përfshirë dhe ato të transportit publik dhe emergjencës duke vendosur një automjet në mes të rrugës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.