Koha e pajisjes me dokumente identifikimi për shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të përgjysmohet. Kështu u shpreh administratorja e Kompanisë shtetërore të prodhimit të dokumenteve IdentiTek, Freskida Halilaj, gjatë një vizite që ministri i Brendshëm zhvilloi në ambientet e kompanisë.
Lehtësia e dytë shtoi ajo është ofrimi i mundësive për aplikim përmes zyrave të lëvizshme në qytetet ku jetojnë.
“IdentiTek ka marrë dy iniciativa shumë të rëndësishme në këtë aspekt, e para është përgjysmimi i kohës që ne do të na duhet për të prodhuar këto dokumente të identifikimit. Kemi zhvilluar një modul të ri teknologjik, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve duke nisur nga ky muaj, i cili bën përgjysmimin e kohës së nevojshme. Pra, qytetarët tanë të diasporës do të mund të marrin dokumentet e identifikimit jo më për 30 ditë, por për 15 ditë. Përveç kësaj kemi nisur proceset për të vizituar ambasadat dhe konsullatat me fluks më të lartë të diasporës për t’u siguruar që çdo proces të kalojë në mënyrë të lehtë ashtu si edhe t’i paraprijmë çdo problematike qe mund të kemi në të ardhmen”, tha Freskida Halilaj.
Ai theksoi se shqiptarët do të marrin shërbime për letërnjoftime dhe pasaportë, pranë konsullatave tona.
“Një nga proceset më kryesore është aplikimi i shtetasve shqiptarë pranë konsullatave kudo ku ata ndodhen, sa i përket pajisjes me letërnjoftime dhe pasaportë. IdentiTek është në krye të këtij procesi, të cilin e drejton nëpërmjet grupeve të tij operacionale duke dërguar këto grupe pranë konsullatave dhe ambasadave të vendit tonë për një aplikim dhe për lehtësimin e këtij regjimi”, u shpreh Hoxha.