ERE merr vendimin: Çmimi i energjisë elektrike ulet vetëm për 1 vit

Në mbledhjen e sotme të Entit Rregullator të Energjisë është vendosur ulja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që përdorin deri në 700 kilovat. Duke nisur nga 1 shkurti deri në 31 dhjetor të këtij viti, çmimi i energjisë do të jetë 8.5 lekë për familjarët që shpenzojnë deri në 700 kilovat.

Për ata që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9.5 lekë për kilovat, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë për familjet.

“Propozojmë që për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KWH, çmimi të jetë 8.5 lekë. Ndërsa për ata që shpenzojnë nga 701 KWH e më tej, çmimi do të jetë 9.5 lekë për KWH. Të gjitha çmimet e tjera për secilën kategori konsumatorësh të mbeten të pandryshuara”, tha drejtor i Tarifave i OSHEE.

Kujtojmë se ulja e çmimit të energjisë vjen pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 11 maj. Po ashtu kjo ulje do të jetë deri në fund të vitit, teksa qytetarët mund të përballen sërish me rritje të çmimit të energjisë elektrike.