Si po e ‘vret’ shpresa Shqipërinë

Altin Gjeta

Shpresa është ndoshta termi më i përdorur në diskursin politik. Udhëheqësit evokojnë shpresën në rrethana të ndryshme. Strategjistët e fushatave elektorale ndërtojnë platforma komunikimi rreth shpresës për një të ardhme më të mirë. Mediat dhe komentatorët politik diskutojnë për thyerje epokash në rast ndryshimesh politike tektonike ose zhytje në mjerim në mungesë të saj. 

Me rënien e murit të Berlinit në 1989 dhe tranformimet politike pasuese në bllokun lindorë, kishte shpresa të mëdha se e ardhmja i përket shoqërive të lira. Jo rastësisht ‘Fundi i Historisë’ së Francis Fukujamës i cili argumenton se demokracia liberale e ka fituar njëherë e përgjithmonë betejën me sistemet e tjera politike dhe se një botë tjetër e begatë nuk ka të ndalur u botua menjëherë pas fundit të luftës së ftohtë. 

Ideja se një kohë e re plot shpresë për të ardhmen kishte aguar u përqafua edhe në Shqipëri me rënien e sistemit komunist. Thirrja e studentëve ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’ mishëron besimin në botën e re ku liria funksionon vetëvetiu. Më shumë se tre dekada nga ky moment, shpesh thuhet se shqiptarët ikin sepse qeveria ka vrarë shpresën apo sepse opozita nuk ngjall shpresë.

Roli i shpresës si emocion në proceset politike është nënvlerësuar. Studiuesit janë marrë shpesh me rolin e udhëheqësve, faktorëve strukturorë si ekonomia, kultura politike, historia dhe zhvillimet gjeopolitike. Mirëpo, ndryshe nga sa mendohet, shpresa luan rol përcaktues për fatet e një shoqërie. 

Shpresa për një të ardhme më të mirë bën që individi apo një shoqëri të përballojë vështirësi të mëdha ndërsa pritet që idealet të materializohen. Një i sëmurë me kancer që ka shpresë për jetën dhe beson tek trajtimi ndikon pozitivisht që mjekimi të ketë efekt. Një komb që shpreson liri është në gjendje të durojë robëri ndërsa piqen kushtet për liri. 

Por, shpresa në rrethana të caktuara mund të ketë efekte katastrofike. Sipas filozofit Roxher Skruton, besimi i verbër në utopi pa ngritur pyetje rreth mundësive reale që ajo të realizohet është me rrezik të madh për shoqërinë dhe individin. Është krejt e lehtë që individi apo një shoqëri të mashtrojë veten nëpërmjet rrenës se opsioni i vetëm është progresi apo fitorja. 

Kështu funksion pak a shumë psiqika e bixhozgjiut, i cili beson vetëm në fitore kur hedh zaret në kumar. Në fakt, dihet se loja është ndërtuar për të fituar ajo, jo lojtari, por kumarxhiu është i bindur se këtë herë ai do të shpenzojë 5 dollarë dhe do të fitojë 10 mijë.

Njëlloj si kumarxhiu, shqiptarët kanë tre dekada që luajnë bixhoz me jetën e tyre. Për shumë vite ato kanë votuar të njëjtët njerëz me besimin se Shqipëria do të bëhet si e gjithë Europa. Ndërsa e kanë bërë këtë, nuk kanë ngritur pyetje apo vënë në diskutim qëllimet, kompetencën apo rezultat e elitës politike. Kështu varja e shpresave tek elita i ka zhveshur nga aftësia për të menduar dhe vepruar në interesin e tyre. Të topitur nga rrenat, në vend që të organizohen dhe ushtrojnë presion që shpresat për një Shqipëri Europiane të materializohen, njerëzit kanë deleguar kompetenca pa kërkuar llogari. Ndërsa, kur ëndrrat janë vyshkur, kanë zgjedhur ikjen. 

Nga ana tjetër, elita është akomoduar në rolin e mashtruesit radikal. Nëse nuk je me mua je kundër meje. Kjo lloj qasje bolshevike ndaj hapësirës publike ka bërë që politika të kthehet në një domen ekskluziv të fanatikëve. Në një botë të tillë siç ishte bota tatalitare komuniste, nuk ka vend për kompromis dhe arsye, por vetëm për beteja për ‘jetë a vdekje’ nga të cilat ose fiton ose humbet gjithçka. Shikoni sesi partitë politike, të ushqyer me shpresa të rreme në triumfin final, janë kthyer në transhe dallkaukësh të cilët krijojnë iluzione dhe shpallin armik këdo që nuk beson në mashtrimin e tyre të rradhës.

E vërteta, thoshte Platoni, është domen i filozofisë. Mirëpo, turmat ndizen nga retorika, jo idetë filozofike. Gjetja strehë tek shpresa e rremë siç thotë Skruton është distancim nga dija. Qasja reaksionare ndaj të resë, racionales dhe presimizmit të shëndoshë e ka shëndërruar utopinë në një distopi ku injoranca është fuqi, rrena e vërtetë dhe lufta është paqe.