Ruel Domi
Nën ‘bubu’-në e kapsollave që hidhen rëndomtë nga të paedukuarit dhe të pagdhendurit e të gjitha moshave në këtë Shqipërinë tonë, më erdhi në mëndje një shprehje e Konicës që vijon të na portretizojë saktësisht si shoqëri edhe sot. “Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam por na iku”, thoshte intelektuali i urryer Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Them i urryer sepse në një kohë kur rilindasit luftonin me penë terrin osman në Shqipëri, Konica ishte ndër të vetmit që vinte gishtin në plagën e defiçensave kulturore të popullit shqiptar, që fatkeqësisht na karakterizojnë edhe sot. Në ndryshim nga atëhere, Shqipëria nuk është më nën pushtimin osman, por veset kulturore që ai pushtim solli, nuk janë zhdukur. Po të dëgjosh prokurorët popullorë të studiove televizive, do të krijohet përshtypja që politika është fara e problemeve të shqiptarëve. “Ah sikur të na hiqni Ramën, Berishën dhe Metën, do na rregullohet Shqipëria” do më thoshte ndonjë berber, kasap apo shitës lagjeje që nuk ka si të mendojë ndryshe kur gjoja-elitat mediatike që dalin cdo darkë në televizion, ia atribuojnë problemet e kombit ‘të pafajshëm’ shqiptar, klasës politike. Jam i bindur që për kapsollat si granata dore të dhjetorit Rama, Berisha dhe Meta duhet të “jenë” fajtorët sipas popullit. Po ashtu klasa politike na e ‘ka’ fajin dhe për parkimet dysh e tresh, për zaptimin e publikes dhe për hedhjen e plehrave vënd e pa vënd. Kush ‘merr erë’ sado pak nga politika, e kupton se thagma e politikës si fara e keqe e popullit ‘puritan’ shqiptar, është shpjegim mekaniko-injorantesk ‘alla shqiptar’ i arsyes pse shoqëria shqiptare ndodhet aktualisht në këtë derexhé. Ajo që askush nuk thotë, ca për hall votash, ca për hall margjinalizmi social e ca për shkak të injorancës ose mungesës kronike të intuitës politike, është që problemet me të cilat Shqipëria përballet sot si korrupsioni, vjedhja e fondeve publike apo shpopullimi, nuk janë në fakt produkt i ndonjë konspiracioni anti-shqiptar më politikanë të sjellur me pako nga Beogradi apo Athina. Këto probleme i atribuohen një fabrike shoqërore të marrë fund që s’diti kurrë s’i ti edukoje fëmijët e saj për t’i bërë qytetarë dinjitozë të Europës së qytetëruar. Ajo fabrikë shoqërore ka prodhuar atë klasë politike që e vjedh dhe e dëbon.
Boshllëku shpjegimor i prapambetjes institucionale të shqiptarëve është shfrytëzuar më së miri nga media dhe pseudo-media më interes gjobat ndaj ‘armiqve’ të popullit si dhe nga politikanë të rinj e të vjetër me interes pushtetin e shpejtë dhe krefjet e egove personale. Mos më keqkuptoni: në Shqipëri pushtetarët vjedhin. Në Shqipëri krimi e politika janë ‘bythë e brekë’ të lidhura me njëra tjetrën. Në Shqipëri ekziston një klase politike të cilës i ka ardhur fundi. Por problemi është më i thellë se aq. Gjasat janë që edhe pasi shqiptarët të ndërrojnë klasë politike, Shqipëria të mos këtë ndryshim, ose të paktën asnjë ndryshim të dukshëm. Kjo sepse sic e tregon dhe historia, despotizmi social i shoqërisë shqiptare ka thyer cdo aspiratë përparimtare të bazuar tek vlerat Perëndimore të demokracisë liberale, tregut të lirë, ndarjes së pushteteve, të drejtave të njeriut, lirisë individuale etj. Mund të na dhëmbë, por duhet thënë. Në librin e tij “Clash of Civilizations”, shkencëtari politik Samuel Huntigton hedh tezën se qytetërimet përplasen në baza kulturore. Në hartën e tij të famshme, në ndryshim nga të gjitha vendet rajonit që i ka bërë pjesë të qytetërimit ortodoks, Shqipëria është bërë pjesë e qytetërimit islamik. Levantizmi kulturor që i ka rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare, e që manifestohet nga hedhja e kapsollave tek ndërtimi pa leje buzë detit, është arsyeja e këtij despotizmi social që shoqërinë tonë e ka kalbur moralisht.
Gjasat janë që klasa e re politike në një përpjekje pragmatike për të mbijetuar në tregun politik shqiptar, të bëhet palë me veset kronike të shqiptarëve të cilët i kanë rrënjët tek pushtimi osman e ai komunist. Kjo ka nisur pak dhe tani. ‘Vilifikimi’ i të pasurit dhe të suksesshmit nuk fle në koshiencën racionale të politikanit shqiptar, por eshte pjesë e subkoshiensës që i thotë se ky popull nuk të voton nëse i thua të vërtetën. Populli do politikanë e ‘oligarkë’ në burg, dhe rishpërndarje të pasurisë nëpërmjet shtetit social. Këto dëngla që nuk mungojnë në ofertën politike të klasës së vjetër e të re politike, shërbejnë si një lloj purifikuesi moral për një shoqëri që nuk diti kurra ta gjejë fajin tek vetja për gabimet e saj.
Shqipëria është sërish sot në një qorrsokak të historisë së saj. Edh pse niveli ekonomik i popullatës ka pësuar rritje te ndjeshme 34 vite mbas rënies së sistemit komunist, afro 20% e shqiptarëve jetojnë në kufirin e varfërisë sot sipas INSTAT. Po sipas INSTAT, qe nga viti 2011, Shqipëria ka humbur rreth 420,000 banorë, ku pjesa më e madhe e humbjes eshte pasojë e largimit të rinisë që preferon Perëndimin përballë ‘Arnautistanit’ të korruptuar gjer në palcë. Problemet e Shqipërisë nuk janë vetëm produkt i politikës së korruptuar por dhe produkt i një shoqërie që kurrë nuk u përshtat me ekonominë e tregut dhe nevojat e saj. Në këtë qorrsokak, shqiptarët kanë dy zgjedhje: ose do mbërrijnë herët në stacion ose do humbasin trenin. Gjasat janë që kur ta humbasim trenin, të themi sërish që treni ‘NA IKU’. Sepse fajin na e ‘kanë’ gjithnjë të tjerët. Fiks siç e tha edhe Konica.