EMRI/ Pronar i një bar-kafe dhe qendre SPA te “Myslym Shyri”, sekuestrohen pasuritë e të dënuarit për trafik droge në Francë

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka sekuestruar pasuritë e Elton Arkaxhiut, i dënuar në Francë për trafik droge. Ndërkohë në vitin 2011 rezulton i proceduar penalisht për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Prokuroria njofton se pas hetimeve të kryera, ka mospërputhshmëri të burimit të financimit me pasuritë e dokumentuara.

Paraprakisht nga informacionet e siguruara në rrugë operative janë identifikuar pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020 dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Bëhet fjalë për një bar-kafe dhe një biznes, të dyja në rrugën “Besim Imami”. Më konkretisht, prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:

1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;

2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe

3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami.

Gjykata e Tiranës njofton se firmosi sekuestrimin e pasurisë së Elton Arkaxhiut bazuar në ligjin për ‘Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’.