Krimi po merr jetë të pafajshme, Rama: Ata që lajnë hesapet me njëri-tjetrin, kokat të hanë

Edhe pse në vendin tonë përplasjet mes bandave të krimit u kanë marrë jetën edhe qytetarëve të pafajshëm, për kryeministrin Edi Rama, Shqipëria është vend i sigurt dhe se vrasjet e njerëzve të pafajshëm janë të rralla.

Gjatë një takimi me prindërit dhe mësuesit në shkollën “Halit Coka”, në Kamëz në kuadër të diskutimit për kufizimin e rrjeteve sociale si TikTok, Rama iu rikthye një deklarate të bërë kohë më parë që ata që lajnë hesapet me njëri-tjetrin, “kokat të hanë”.

Por në Shqipëri, rivalitetet mes grupeve kriminale kanë marrë jetë njërëzish të pafajshëm, të cilët kanë qenë në vendin dhe kohën e gabuar. Rasti më i fundit është masakra në Dobraç, ku një çift bashkëshortësh vdiqën, pasi u gjetën rastësisht në atentatin ndaj makinës ku udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Viktimë e pafajshme ishte edhe Enea Thomaraj, në Elbasan, i cili humbi jetën si pasojë e një shpërthimi në tritol, që kishte në shenjestër motrat, Alda dhe Xhovana Nikolli, fqinj me të riun, i cili humbi jetën.

Ndërkohë po në korrik të këtij viti, në qytetin e Memaliaj në një atentat që kishte për shënjestër Shyqyri Kalemin, babain e Adriatik Kalemit, plumbat i morën jetën edhe 2 qytetarëve që ndodheshin me të.

‘Shqipëria nuk e ka një problem sigurie. Problemi i sigurisë po bëhet serioz në kryeqytetet e vendeve të mëdha, në pikë që pjesën më të madhe të qytetit burrat dhe gratë nëse lëvizin i lënë orët dhe çantat në hotel ose në shtëpi, se nuk është e sigurt që kthehen me orët ose çantën. 

Në Shqipëri patjetër që ka vrasjen por ama ne sot kemi një numër mestar vjetor të vrasjeve që shkon drejt mesatares së vende të tjera. Sot kur ndodh një vrasje, jashtë atyre vrasjeve që bëhen mes këtyre që lajnë hesapet me njëri-tjetrin që për ata kam thënë dhe e them kokat të hanë. Po them për vrasje të njerëzve të pafajshëm të cilat janë shumë të rralla, dhe ky është fakt, janë tronditëse por merren dhe rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur sa më shumë ndjenjën e pasigurisë. Por këtu nuk ka pasiguri’, tha Rama.