Pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, mazhoranca ka kopsitur një tjetër ligj elektoral, që ka të bëjë me faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Teksa na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, PS është duke përgatitur terrenin dhe duke vijuar me propagandën e saj për të marrë sa më shumë vota.
Vetëm pak kohë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi për bonusin e fundvitit për pensionistët, i cili ndryshe nga vitet e kaluara do të ishte më i madh, apo siç vetë kreu i qeverisë e konsideronte “bonusi i madh”.
Madje Rama pas një mungesë të gjatë në Kuvend, u rikthye duke dhënë lajmin se për pensionistët që marrin deri në 200 mijë lekë, bonusi për fundvit do të jetë 150 mijë. Për ata që kanë pension mbi 200 mijë lekë, bonusi do të jetë 100 mijë. Sikur të mos mjaftonte kjo, nuk ngurroi të shkruante edhe në rrjete sociale se mijëra pensionistë kishin shkuar për ta tërhequr që në ditet e para te dhjetorit.
Kryeministri Edi Rama po tenton të josh pensionistët edhe me një tjetër bonus, që pritet të jepet në pranverë, pra para zgjedhjeve të cilat do të mbahen në maj, edhe pse Presidenti Begaj nuk e ka dekretuar ende datën.
Por njëkohësisht janë me qindra pensionistë që po protestojnë prej javësh poshtë zyrës së Ramës, duke i kujtuar kryeministrit se me pensionet që marrin nuk mund të përballojnë jetesën e vështirë, çmimet e larta të ushqimeve dhe kanë po ashtu vështirësi në blerjen e ilaçeve. Shumë prej tyre kanë thënë se ndihmohen nga fëmijët e tyre që janë në emigracion, pasi në të kundërt nuk do ia dilnin.
Por një tjetër ligj elektoral ka përgatitur mazhoranca, që ka të bëjë me faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali , e cila tha se një grup deputetësh socialistë kishin depozituar projektligjin në fjalë. Kjo çështje solli edhe debate të shumta në sallën e Kuvendit, me opozitën që tha se gjobat po anulohen pas vendimit të Gjykatës Kushtetues, por edhe duke e akuzuar mazhorancën se po e përdor për fushatën elektorale.
Megjithatë ministri i Drejtësisë tregoi forcën e pushtetit në Kuvend, duke thënë se ligji për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje do të miratohet në Kuvend, sepse ata i kanë votat për ta bërë këtë, që duhet thënë si shumë projektligje të tjera, që ata i kanë kaluar vetëm me votat e tyre.
Ligji pritet të miratohet, por ajo çfarë duhet nënvizuar është propaganda e qeverisë, ku herë pas here përdor pensionistët, e herë qytetarët e thjeshtë.