Nga Isa Bajrami
Paraprakisht, do të doja t’u kërkoja pak durim lexuesve të këtij shkrimi, nëse ndihen të bezdisur që këtë artikull kulturor dhe politik e nis me zgjatime fetare. Mirëpo qëllimi im nuk është aspak teologjik. Është thjesht një përpjekje modeste për të nxjerrë kuptime të ndryshme në shërbim të së sotmes prej historisë së njerëzimit. Gjithashtu, ky material nuk synon të jetë një studim akademik, por një udhëtim konceptual individual për ndërtimin e një argumenti politik. Ndaj nuk do t’ju lodh as veten, as juve me teoritë e M. Weberit apo E. Durkheim-it për zhvillimet shoqërore dhe ndryshimet që ata analizojnë.
Në vijim, përveç argumentit teologjik, do të sjell edhe shembuj të tjerë nga historia politike, sepse shpesh disa ngjarje historike fitojnë më shumë vlerë nga optika me të cilin i analizojmë sot, e jo nga rëndësia që kanë patur në kohën kur kanë ndodhur.
Për shembull, Pitagorën sot e vlerësojmë më shumë si një mendimtar të filozofisë së matematikës apo si krijuesin e një sekti okult? Sigurisht, si filozof të matematikës, duke pasur parasysh kontekstin e zhvillimeve teknologjike bashkëkohore.
Po ashtu, përmendja e referencave fetare në këtë shkrim synon t’i japë një dimension më të gjerë shqyrtimit që po bëj, duke shmangur polemikat e kota që ndodhin shpesh në studiot televizive. Dua që ky shkrim të përfshijë edhe një dimension metafizik, sepse, si një individ i djathtë, besimi në Zot është një parim i pandashëm i traditës politike të cilës i përkas.
Për më tepër, në shumë raste, historia dhe feja kanë një funksion të përbashkët: orientimin e njerëzimit përmes mësimeve që ofrojnë. Për shembull, nëse analizojmë se ku dhe kur janë dërguar profetët e Zotit, si Noe (Nuhu), Moisiu (Musai), Jezusi (Isai) dhe Muhamedi, vërejmë se ata janë dërguar sipas nevojave të popujve të tyre, për të sfiduar devijimet dhe për të ngritur më lart vlerat ekzistuese. Këto mësime kanë një ndikim të thellë edhe në zhvillimet kulturore e politike të shoqërive.
Profeti Muhamed, për shembull, u dërgua në një shoqëri arabe ku arti i oratorisë dhe poezisë ishte shumë i zhvilluar. Arabët mburreshin me stilistikën e lartë të gjuhës së tyre dhe e përdornin poezinë për ndikim shoqëror. Megjithatë, Kur’ani, i shpallur nga Zoti, tejkaloi kufijtë e zakonshëm të oratorisë, duke sjellë një mesazh hyjnor dhe filozofik. Ky sfidim ndikoi që arabët të formonin një nga qytetërimet më të lavdishme të botës.
Por, si thamë më lartë, ky shkrim nuk është vetëm një reflektim fetar, por një analizë kulturore dhe politike. Ndaj, përveç shembujve fetarë, dua të përmend disa liderë politikë që kanë ndikuar pozitivisht në historinë e vendeve të tyre. Liderë që, duke njohur realitetin e kohës, krijuan alternativa sfiduese për të ardhmen.
Ja disa shembuj:
George Washington, presidenti i parë i ShBA-së, udhëhoqi revolucionin amerikan dhe krijoi themelet e një demokracie moderne. Ai institucionalizoi një sistem qeverisjeje të bazuar në ndarjen e pushteteve, duke e bërë ShBA-në model për vendet e tjera në të gjithë botën.
A nuk ishte një lider i tillë i duhuri për ShBA-në në atë kohë?
Mahatma Gandhi përdori vlerat kulturore dhe mistike të Indisë për të udhëhequr lëvizjen për pavarësi përmes rezistencës paqësore. Ai u bë simbol global i drejtësisë dhe paqes, duke ndikuar përtej kufijve të vendit të tij.
Angela Merkel (Gjermani), përmes udhëheqjes së saj pragmatike, menaxhoi me sukses krizat financiare dhe atë të refugjatëve, duke luajtur një rol vendimtar në stabilitetin ekonomik të Evropës. Kështu, mund të themi se Merkel ishte përgjigjja e duhur për sfidat e asaj kohe. Sepse të jesh një lider do të thotë të dish të lexosh mirë epokën në të cilën ndodhesh dhe të krijosh alternativat më të mira për shoqërinë, të cilat shkojnë përtej kohës dhe mbeten të qëndrueshme.
Tani dua të sjell një shembull nga vendi ynë, duke iu referuar Ismail Qemal Bej Vlorës. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe formimit të shteteve të pavarura që ishin pjesë e saj, lindte nevoja për të udhëhequr këtë proces nga dikush që kishte aftësinë për të kuptuar mirë konjukturat e zhvillimeve të kohës dhe për t’i kthyer ato në interes të vendit tonë. Dhe këtë e arriti Ismail Qemal Bej Vlora, i cili konkretizoi pavarësinë e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar në vitin 1912.
Pasi bëmë një vlerësim të përgjithshëm – ku shembujt janë më të shumtë se ata që permendëm – dhe mbasi cekëm veçoritë sesi një lider përthith dhe reagon ndaj situatave ekzistuese dhe sesi i sfidon ato duke krijuar zgjidhje të përshtatshme, tani do të doja ta kontekstualizoja këtë me ngjarjet politike aktuale, si në rrafshin global, ashtu edhe në atë kombëtar.
Padiskutim, ngjarja më e rëndësishme, ndoshta ngjarja e shekullit, është fitorja e zgjedhjeve nga Donald Trump. Kjo mund të cilësohet si një fitore ndaj globalistëve liberalë, por gjithashtu si një fitore e bazuar në premtimet e tij ekonomike. Globalistët liberalë dhe rënia e mirëqenies së popullit amerikan ishin dy faktorë kryesorë që, sipas analistëve, po e rrezikonin Amerikën. Dhe kundërpërgjigja më e mirë ndaj kësaj situate, me përcaktime më të sakta dhe me prezantimin e alternativave më të qarta, ishte sigurisht Trump, gjë që i solli atij fitoren. Po ashtu, duke njohur realitetin e sotëm, mund të themi se fuqia që po mbizotëron epokën tonë është teknologjia, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale. Për këtë arsye, duke mos anashkaluar këtë të vërtetë, Trump bashkëpunoi me investitorin më të madh në këtë fushë, Elon Musk. Pra, gjithçka ndodhi duke njohur mirë realitetin e shoqërisë amerikane dhe zhvillimet e kohës që po kalojmë, dhe mbi këtë bazë u formuan alternativat e përshtatshme. Ndaj, fitorja e Trump pritet të ketë ndikim global. Uroj që të kemi një botë më të mirë pas fitores së tij.
Po të kthehemi në kontekstin socio-politike shqiptar, problemet kryesore të vendit tonë mbeten mosfunksionimi i shtetit ligjor, stanjacioni i zhvillimit ekonomik, shpopullimi i Shqipërisë nga qytetarët e saj dhe, mbi të gjitha, mungesa e zbatimit të politikave të djathta në qeverisje. E them këtë sepse politikat e majta kanë mbizotëruar në vendin tonë për 80 vjet.
Kështu që, meqenëse kohët e fundit në politikën shqiptare po bëhet fenomen formimi i partive të reja, qoftë majtas apo djathtas, unë mendoj se ajo që bën diferencën është partia “Mundësia,” me kryetarin e saj, z. Agron Shehaj. Pse e them këtë? Sepse z. Agron Shehaj vjen nga bota e biznesit dhe është shumë i suksesshëm në këtë fushë. A nuk ka nevojë për rimëkëmbje ekonomia jonë, dhe a nuk është drejtuesi i duhuri në këtë rast z. Shehaj? Po ashtu, ai vjen nga emigracioni për të dhënë kontributin e tij ndaj vendit të tij. A nuk është ky një frymëzim për të ndaluar shpopullimin e Shqipërisë? Gjithashtu, z. Shehaj është i adaptuar mirë me teknologjinë, pasi bizneset e tij lidhen me këtë dinamikë të kohës së sotme. Pra, një person politik që e njeh dhe mund t’i përgjigjet në mënyrë efikase shumë mirë realitetit të sotëm politik shqiptar dhe që mund ta çojë atë drejt një zhvillimi të mëtejshëm, duke e ndryshuar për mirë.
Po ashtu, ajo që e veçon këtë figurë në spektrin e djathtë është kontributi i tij i vazhdueshëm në shumë aspekte për strukturimin e së djathtës shqiptare. Bazamenti i së djathtës në Shqipëri përfaqësohet nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Për këtë arsye, me mbështetjen e z. Shehaj, është bërë i mundur krijimi i portalit kujto.al, i cili reflekton këtë trashëgimi historike që nuk duhet harruar. Po ashtu, me suportin e tij është formuar dhe instituti “Lumo Skëndo”. Gjithashtu, duhet theksuar se z. Shehaj, gjatë kohës që ishte pjesë e Partisë Demokratike, ka realizuar disa nga denoncimet më të bujshme kundër korrupsionit, gjithmonë në interes të publikut.
Të gjitha këto, a nuk do të mjaftonin që partia “Mundësia” të ishte përfaqësuesja jonë në zgjedhjet e ardhshme? Ndoshta, më të drejtë apo pa të drejtë, mund të thoni që e kam ekzagjeruar me këtë lloj gjykimi, por nëse është kështu, atëherë unë po ju sjell një shprehje të Kafkës: “E ekzagjeroj sepse dua të kuptohem.” Mundësisht, ndiqni aktivitetin e kësaj partie dhe do shihni që dhe ju do mendoni si unë.