Arben Ahmetaj është rikthyer! Jo në Shqipëri, ku e presin prangat dhe ndarja e qelisë me ish-kolegët, por është rikthyer të jetë aktiv në rrjetet sociale, ku po komenton veprimet e SPAK, institucionit që kërkon ta burgosë për vjedhjet që ka bërë në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Kontrollet e agjentëve të BKH në banesat e të afërmve kanë shqetësuar ish-ministrin, që tashmë i arratisur dhe i pafuqishëm, armën e vetme ka postimet në rrjetet sociale. Në postimin e sotëm, Ahmetaj e quajti “reprezalje” veprimin e BKH për të kontrolluar shtëpitë e të afërmve, për të kërkuar më shumë prova për vjedhjen qindra milionë euro që Ahmetaj dhe miqtë e tij i kanë marrë këtij populli.
Por kontrolli i banesave nuk ishte e vetmja çështje që shqetësoi Ahmetajn dhe e detyroi të shkruajë disa rreshta. Lajmi se SPAK ka zbuluar 1.8 milionë euro transaksione në llogarinë e bashkëjetueses së Ahmetajt në një bankë në Zvicër, duket se ka rënë si një këmbanë alarmi për ish-ministrin, që lekët i ka patur “pikë të dobët”.
Pikërisht ky lajm mund të ketë nxjerrë zbuluar Arben Ahmetajn. Ish-ministri ka filluar të shqetësohet për lekët që ka fshehur, ndaj ka reaguar edhe për një lajm të tillë që nuk është faktuar.
“Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë”, shkruan mesa rreshtave Ahmetaj.
Ai, ish-ministri që i ka mbrojtur gjithmonë inceneratorët, personi që kërkon të shpallet i pafajshëm sepse nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme në lidhje me këtë aferë, këtë herë ka kërkuar që SPAK të merret me fondet e inceneratorëve. Mos vallë Ahmetaj pranon që inceneratorët kanë qenë mega-aferë?
Kërkesa e Ahmetajt që SPAK të merret me fondet e inceneratorëve është një indicie që ish-ministri po jep, si për të treguar se ndjekja e atyre fondeve do t’i çojë prokurorët te zyrtarë të tjerë të përfshirë, ndoshta me pozita më të larta edhe se ai vetë.
A ishte ky një informacion që Ahmetaj e dha nën presionin e zbulimit të 1.8 milionë eurove, apo mos ndoshta ish-ministri po tenton të kthehet në një “pentito” të drejtësisë, duke “shlyer” sadopak vjedhjen që bëri ndaj atyre që e besuan, popullit shqiptar.