Pas kërkesës së Partisë Socialiste që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të zhvillohen në 11 Maj 2025, të njëjtën kërkesë ka bërë edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Në takimin me Presidentin Bajram Begaj, ai ka propozuar 11 Majin si datë zgjedhjesh, duke hedhur poshtë propozimin e partive opozitare për datën 4 Maj.
Sot Presideenti Begaj kishte në agjendë edhe takimin me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, por këta të fundit e bojkotuan, teksa më herët kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi është shprehur se data e zgjedhjeve është caktuar nga Rama-Balla.
Kujtojmë se partitë e vogla, pas takimit që patën me Presidentin Begajn javën e kaluar propozuan 4 Majin, si datë për të zhvilluar zgjedhjet.
Kjo pasi më datë 9 Maj në Tiranë është parashikuar të mbahet samiti i Komunitetit Politik Europian me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë Europa.
“Ne propozuam datën 4. Kushtetuta e përcakton 15 prill-15 maj. Më e arsyeshme për ne është maji, por duke qenë se përflitet që me datë 19 ka një aktivitet me pjesëmarrje të kryeministreve të Europës kjo mund të ndikojë në zgjedhje dhe mendoj se data 11 është e papërshtatshme. Besoj do të takojë edhe të tjerët presidenti, por në fund të fundit ata që do vendosin dihet se kush janë”, tha Agron Duka i PAA për mediat, pas takimit konsultues me Begajn.