Është zbardhur identiteti i 42 vjeçarit shqiptar, i cili u gjet i vrarë një ditë më parë në provincën e Emilia-Romagna të Italisë.
Mediat fqinje bëjnë me dije se shqiptari i vrarë është identifikuar si Nikolin Nika, baba i dy fëmijëve, i cili u qëllua me thikë tre herë në qafë dhe ndërroi jetë në vend.
42-vjeçari, sapo ka dalë nga një bar-kafe, është përballur në rrugë me personin që e ka qëlluar, ndërsa plagët do t’i merrnin jetën.
Dëshmitarët e parë të ngjarjes tentuan t’i jepnin ndihmën e parë dhe thirrën ambulancën, por nuk arriti t’i shpëtonte dot plagëve të marra.
Policia italiane arrestoi një tjetër shqiptar si të dyshuar për vrasjen, vetëm disa orë pas ngjarjes, por nuk dihet identiteti i tij.
Viktima me origjinë shqiptare jetonte prej vitesh në Bettola me familjen e tij dhe punonte në një kompani që përpunonte lëndë druri. Ndërkohë ende nuk dihen arsyet e këtij krimi të rëndë.