Një raport i ri mbi biodiversitetin në Ballkanin Perëndimor, i publikuar të enjten nga Fondacioni gjerman, EuroNatur, një organizatë për ruajtjen e natyrës, thekson nevojën për veprime urgjente për të ruajtur habitatet natyrore të kërcënuara.
Raporti thekson zonat ku habitatet natyrore janë të kërcënuara dhe speciet në nevojë mbrojtjeje në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Rajoni i Vjosë-Nartës në Shqipëri, i njohur për shumëllojshmërinë e shpendëve dhe lagunat, përballet me kërcënime serioze nga ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Mbi 200 specie shpendësh, përfshirë Pelikanin e rrallë Dalmatian dhe Flamengot mbështeten në këtë habitat. Rivlerësimi i zonave të mbrojtura nga qeveria për të lehtësuar projektin e aeroportit ka përjashtuar 310 hektarë habitat të rëndësishëm në jug të vendit, duke shqetësuar ambientalistët.
“Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pjesë e një vizioni të gjerë për ta shndërruar këtë strehë të pasur me biodiversitet në një qendër turizmi dhe infrastrukture, kërcënon të shuhen zërat e gjallë të lagunës,” paralajmëron raporti.
Raporti përqendrohet gjithashtu në fushën e gjerë karstike të Livanjsko Polje në Bosnjë e Hercegovinë, një sit Ramsar dhe zonë të rëndësishme për shpendët, e cila mbetet pa mbrojtje në nivel kombëtar. Sitet Ramsar janë laguna të rëndësishme ndërkombëtarisht të njohura sipas Konventës Ramsar.
Përmbytjet sezonale mbështesin habitate të ndryshme dhe bujqësinë, por menaxhimi i pa-rregulluar i ujërave, nxjerrja e torfeve dhe kornizat ligjore të pasigurta kërcënojnë të ardhmen e saj.
Përpjekjet për ta shpallur Livanjsko Polje një zonë të mbrojtur janë ndalur, duke pasqyruar sfidat e qeverisjes në Bosnjë dhe politikat e fragmentuara mjedisore.
Salina e Ulqinit në Malin e Zi, dikur një zonë prodhimi të kripës, është një tjetër fushë betejë për ruajtjen e natyrës, sipas raportit. E njohur si një kandidate për Rrjetin Emerald, kjo zonë mbështet mbi 250 specie shpendësh, por privatizimi dhe neglizhimi kanë degraduar ekosistemet e saj.
Raporti thekson “një luftë, që vendos përballë njëri-tjetrit jetesat tradicionale dhe ruajtjen e mjedisit ndaj interesave ekonomike të mbyllura, duke lënë një ekosistem të tërë dhe komunitetin lokal në një udhëkryq.”
Salina u shpall Park Natyror në vitin 2019, por ende nuk është krijuar një organ menaxhues formalisht, duke penguar përpjekjet për restaurimin.
Raporti thekson gjithashtu se rruga e Migracionit Adriatik, një rrugë kyçe e migrimit të shpendëve, është nën kërcënim nga vrasjet ilegale të shpendëve, veçanërisht në Serbi. Mbi 163,000 shpendë vriten çdo vit, duke prishur balancat ekologjike. Zbatimi i dobët i ligjit e përkeqëson këtë problem, duke minuar përputhshmërinë e Serbisë me marrëveshjet ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.
Raporti gjithashtu thekson rrezikun e madh që i kanoset rrëqebullit të Ballkanit, një nga specie më të rrezikuara të Europës, i cili jeton në pyjet dhe malet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën.
Me më pak se 40 rrëqebuj të mbetur në natyrë, ky mace e egër është në rrezik të zhduket. Mbijetesa e saj është një prioritet i rëndësishëm për ruajtjen e natyrës, jo vetëm si një specie kyçe, por edhe si një tregues i shëndetit mjedisor të rajonit.
Raporti kërkon përmirësimin e kornizave ligjore, zbatimin më të rreptë të ligjeve për ruajtjen e natyrës dhe angazhimin më të madh të komunitetit. Rekomandimet përfshijnë restaurimin e habitateve të dëmtuara, integrimin e ekonomive lokale me objektivat për biodiversitetin dhe përshtatjen e politikave kombëtare me standardet mjedisore të BE-së. BIRN