A jetohet me 200 mijë lekë në muaj? Pyetja që ende nuk ka marrë një përgjigje

I rikthyer pas shumë kohësh në Kuvend, duke refuzuar t’i përgjigjet çdo interpelance, kryeministri Edi Rama njoftoi pensionistët për bonusin e fundvitit, i cili do të ishte 2 dhe 3-fish më i lartë se vitet e tjera.

Kryeministri shfrytëzoi festat e fundvitit për të “peshkuar” votat e pensionistëve”, pasi në Maj të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet parlamentare dhe Rama do të kërkojë jo vetëm mandatin e katërt, por edhe të kapë objektivin e 84 deputetëve.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se janë më shumë se 500 mijë qytetarë që marrin më pak se 200 euro në muaj. Pra, rreth 20% e popullsisë së Shqipërisë jeton në varfëri, duke pritur lëmoshën e kryeministrit me bonuse dhe indeksime qesharake.

Por, propaganda e tij e indeksimeve të qeverisë u flak përtokë nga një e moshuar në emisionin “Opinion”, që i drejtoi kryeministrit një pyetje që vjen në mendjen e të gjithëve:

“Nëse do kishit pension 150, 200 mijë lekë a do të jetonit dhe ta nxirrnit muajin? Me shtesat që bëtë tani 4 mijë lekë, janë qesharake, 2 kafe dhe 2 sheqer, të tallesh me një pensionist që ka punuar 40 vjet? Më jep një shpjegim si mund të jetosh?”.

Kështu u shpreh e moshuara, që e gjeti kryeministrin të papërgatitur, pasi ishte mësuar t’u shpjegonte pensionistëve shifra të pafundme e të bënte një lëmsh indeksimesh e përqindjesh për t’iu shmangur pyetjes kryesore që të moshuarit kanë.

Madje, kur pyetja iu përsërit se a do të jetonte dot me 200 mijë lekë të vjetra në muaj, i dha edhe një këshillë në formë kërcënimi një të moshuare, duke i përmendur familjen dhe punën e tyre, pasi pushteti është mësuar që t’i flakë në rrugë ata që nuk bëhen pjesë e propagandës së tyre.

“Vetëm një këshillë të jap unë: Nëse do veten, familjen dhe punën mos voto ato që je mësuar të votosh”, u shpreh kryeministri, i revoltuar se Fevziu po u jepte të drejtën e fjalës të moshuarave, që e vunë me shpatulla pas murit.

Por, kur kanë kaluar shumë ditë prej asaj përballje, pyetja e zonjës nuk ka marrë ende një përgjigje. A jeton dot kryeministri me 200 mijë lekë të vjetra në muaj?

Sigurisht që kjo pyetje nuk do të marrë asnjëherë përgjigje as nga kryeministri Rama e as nga ministrat e tij, por përgjigjen e dinë të gjithë qytetarët e këtij vendi, që shohin si rriten kostot e jetesës e si vidhet buxheti i shtetit në çdo tender.