Gjykata Kushtetuese pas një seance maratonë ka dhënë vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili kundërshtonte masën e parë të caktuar ndaj tij nga GJKKO, atë të “detyrim paraqitje”. Gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë të Berishës duke sqaruar se nuk nevojitej autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e masës “detyrim paraqitje”.
“Gjykata e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës. Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit”– thuhet në vendimin e gjykatës.
Por GJK ka pranuar pjesërisht ankimimin e tij pasi ka shfuqizuar vendimin e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
“Ne lidhje me masen tjeter, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqesore objekt te shqyrtimit kushtetues, vetem për pjesën qe kane caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj kerkuesit Sali Berisha per shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë se kesaj mase, ne kushtet kur qellimet e saj permbushen nga masa tjeter e dhene ndaj kerkuesit “detyrim per t’u paraqitur ne policine gjyqesore”- thuhet në vendimin e gjykatës.
Megjithatë, Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie, për shkak se këtë masë sigurie nuk e kishte ankimuar.
Sali Berisha kërkonte lirinë duke arsyetuar se vendimi është dhënë në kundërshtim me Kushtetutën, sepse është shmangur Kuvendi duke qenë se ai është deputet. Por SPAK sqaron se masa e dhënë në atë kohë ndaj tij, nuk e kushtëzonte Berishën për të vijuar jetën e tij politike dhe angazhimet.
Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha ndodhet prej 30 dhjetorit 2023 nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani”, ndërsa edhe më herët, kërkesat e tij për lirim janë rrëzuar nga shkallët e gjyqësorit.