Zbardhen mesazhet në “Sky ECC”, si bandat vendosën emrin e Jurgis Çyrbjas të tretin në listën e PS-së, del emri i një tjetër deputeti

Ergys Çyrbjan e vendosën bandat e krimit në listën e sigurt të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit për zgjedhjet e vitit 2021.

Kjo është ajo që tregojnë mesazhet në “SKY ECC” të zbardhura nga News 24, ku Edmond Koçi i njohur si Mond Çekiçi, i ekzekutuar pranverën e 2021 dhe Altin Hajrin, i shumëkërkuar nga drejtësia, u kërkuan zyrtarëve të PS që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën e deputetëve.

Jurgis Çyrbja ka shkëmbyer vetë mesazhe me Mond Çekiçin, ku ky i fundit e siguron se do ta çojë më sipër në listë, pasi rezultonte të ihste i shtati. Ndërkohë në përgjime del edhe një emër tjetër, “Liri”, që dyshohet të jetë deputeti tjetër socialist, Ilir Ndraxhi.

Përgjimet e zbardhura nga News 24:

Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.

Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.

Një tjetër person, ende i paidentifikuar nga SPAK, komunikon me Çyrbjan e ndër të tjera i shkruan:

I paidentifikuar: “Mos humbim qetësinë, po të punojmë fort. Ishalla ndërrojnë mendje C me GJ. I thashë duam J. Po duhet qetësi, po të punojmë fort se u ngjan C dhe GJ sikur krijojmë përçarje”.

Gjatë kohës që negociohet për të zhvendosur emrin e Çyrbjas në listë, në telefonin e këtij të fundit nga i shumëkërkuari Altin Hajri mbërrin lista me emrat e kandidatëve ku emri i deputetit ishte i 7.

Hajri i shkruan Çyrbjas, dhe i thotë se Çekiçi duke nënkuptuar Edmond Koçin është dakord, ndërsa do të fliste me Lentin, që sipas SPAK është Plarent Dervishaj.