Pas 3 orësh bllokim qarkullimi në 6 nga akset kryesore të vendit, është mbyllur edhe protesta e sotme e opozitës, ku mijëra qytetarë iu bashkuan thirrjes së Partisë Demokratike.
Protestuesit lejuan vetëm kalimin e ambulancave, ndërsa makinat e tjera u detyruan të prisnin deri në momentin që policia ndërhyri për të hapur rrugën, por kjo ndodhi vetëm kur kishin kaluar më shumë se 2 orë nga protesta.
Mbështetësit e opozitës dogjën goma dhe u përplasën fizikisht me efektivët, në momentin që këta të fundit tentuan t’i largonin nga rruga.
Pika e parë e bllokimit ishte Sheshi Shqiponja, ku deputetët e pranishëm ishin Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët.
Gjithashtu u bllokua rrethrrotullimi i Milotit, me protestuesit që u udhëhoqën nga deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit ishin deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti. Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës ishin Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati.
Në rrethrrotullimin Levan: Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj, ndërsa te rrethrrotullimi Shkozet, ishin degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.
Disa prej protestuesve u shoqëruan nga policia, ndërkohë që tashmë rrugët janë hapur. Ndërkohë, deputeti Flamur Noka u shpreh se mosbindja civile do të vijojë, teksa pritet mbledhja e grupit parlamentar për të mësuar se si do të vijojë aksioni opozitar.