Opozita proteston sërish, Sali Berisha zbulon datën: Të bashkohemi në çdo qark të paralizojmë vendin

Më datë 29 tetor do të mbahet protesta e radhës kombëtare e Partisë Demokratike. Lajmin e dha kreu i demokratëve Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë.

“Më datë 29 drejtuesit në qarqe do të organizojnë paralizën e plotë të këtij regjimi. Pas datës 29, data tjetër do të jetë shumë e afërt”, tha Berisha, thirrje e cila vjen pas arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Gjatë mbledhjes, Berisha u shpreh se Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm me çdo çmim.

“Rama na shpalli luftë dhe ne do i përgjigjemi, kjo betejë kërkon udhëheqje nga ana juaj të demokratëve dhe mbështetësve tanë në një mosbindje civile për të shpëtuar këtë vend. Para syve tanë, para kamerave, publikut shqiptar dhe botës, ndodhin akte të cilat edhe në diktaturë nuk ishin kaq publike, qëllimi i tyre është të frikësojnë qytetarët. Ne duhet të dalim vet në krye, të paguajmë çdo çmim, jemi të gatshëm për çdo çmim, Ti japim përgjigjen e merituar këtij regjimi”- nënvizoi Berisha.

Kujtojmë se opozita ka paralajmëruar edhe një protestë këtë të mërkurë para Parlamentit Evropian në Strasburg. Protestat dhe mosbindja civile e opozitës rinisën pas arrestimit të ish-deputetit tashmë, Ervin Salianji, u dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë.