E PLOTË/ Altin Dumani firmosi arrestimin e Ilir Metës! Ish-Presidenti akuzohet për 3 vepra penale, masa sigurie për Kryemadhin dhe dy të tjerë (REAGIMET)

Ish-Presidenti i Shqipërisë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Arrestimi i tij u bë te mbikalimi i Kamzës, pasi Meta po kthehej nga Kosova dhe po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë. Ai ishte i shoqëruar nga shoferi i tij, teksa në momentin e arrestimit, të dy kanë bërë rezistencë.

Mes tyre dhe efektivëve ka patur edhe përplasje, por të shumtë në numër, efektivët e Policisë dhe agjentët e BKH-së e kanë nxjerrë Metën nga makina dhe e kanë marrë zvarrë duke e futur në një mjet tip “Golf”, me të cilin është nisur drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Bodyguardët e Ilir Metës grushta me efektivët e BKH-së, nxorrën edhe pistoletat

Prokurorët Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja e akuzojnë Metën për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, akuza të cilat u konfirmuan edhe nga avokati Genc Gjokutaj.

Masë sigurie “detyrim paraqitje” ëhstë vendosur edhe për Monika Kryemadhin dhe Ema Çokun, ndërsa në arrest shtëpie është lënë Pirro Xhixho, babai i deputetes Erisa Xhixho. Agjentët e BKH-së po bëjnë kontroll në vilën e Metës dhe Kryemadhit në Gjirin e Lalzit. ndërsa po bëhen kontrolle edhe në banesat e ish-zyrtarëve të LSI-së.

REAGIMET

Pas arrestimit të Metës, i pari që ka reaguar ka qenë Sali Berisha, i cili ishte në një konferencë me gazetarët kur u njoftua për arrestimin e kreut të PL-së. Për Berishën, ky arrestim ishte bërë me urdhër të Edi Ramës, ndërsa akuzoi kryeministrin se ka tentuar edhe eliminimin fizik të Metës.

“Çdo gjë ndaj tij është politike, persekutimi ndaj Ilir Metës është politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument por kanë zbatuar urdhrat e Ramës I cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik dhe ndoshta edhe fizik të Ilir Metës”, tha Berisha.

Lexo edhe: Sali Berisha reagon për arrestimin e Ilir Metës: Persekutim politik nga Rama, ka tentuar ta eliminojë edhe fizikisht

Më pas ishte një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushii, i cili akuzoi se Meta është rrëmbyer në mes të ditës nga një organizatë kriminale, duke ju referuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK). 

“Një strukturë kriminale, terroriste që guxon të rrëmbejë në mes të ditës ish-Presidentin e Republikës, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Parlamentit. Kjo është një fatkeqësi dhe tregon edhe njëherë gjendjen skandaloze, aktin e rëndë kriminal që do të marrë përgjigje shembullore nga të gjithë shqiptarët”, u shpreh ai në prononcimin për mediat jashtë selisë së PL.

Lexo edhe: Tedi Blushi i revoltuar për arrestimin e Ilir Metës: Është rrëmbyer në mes të ditës nga një organizatë kriminale

Më pas ka ardhur edhe reagimi i vetë Monika Kryemadhit, e cila tha se ky është një sulm i radhës që i bëhet opozitës, teksa shtoi se nuk ka ende dijeni mbi një vendim gjykate për të dhe Metën.

“Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.

Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik. Duke nisur nga Inceneratorët dhe deri tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët”, shkruan Kryemadhi.

Lexo edhe: Arrestimi i Metës/ Reagon Monika Kryemadhi: Nuk kam dijeni mbi asnjë vendim ndaj meje apo babait të fëmijëve të mi

Reagimi erdhi edhe nga ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri, romana Vlahutin, që thotë se kjo është edhe një mësim i madh për këdo, pasi drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por në fund shërbehet.

“Reforma e drejtësisë në të gjithë forcën e saj. Nuk ka të paprekshëm. Kjo është edhe një mësim i madh për këdo që do ligjin dhe rregullin, mos kini frikë. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por në fund shërbehet”, shkruan ajo.