Arrestimi i Metës/ Reagon Monika Kryemadhi: Nuk kam dijeni mbi asnjë vendim ndaj meje apo babait të fëmijëve të mi

Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmit se ajo është vënë në “detyrim paraqitje” nga GJKKO, duke mohuar të ketë marrë dijeni për masë ndaj saj apo Ilir Metës.

Sipas saj lajmet po serviren nga propaganda e qeverisë dhe ky është sulmi i radhës që i bëhet opozitës,

“Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.

Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik. Duke nisur nga Inceneratorët dhe der tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët”, shkruan Kryemadhi.

Presidenti i PL u arrestua sot në automjetin e tij teksa ishte duke udhëtuar, pranë Kthesës së Kamzës.