EKSKLUZIVE/ Bodyguardët e Ilir Metës grushta me efektivët e BKH-së, nxorrën edhe pistoletat

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua ditën e sotme me urdhër të SPAK, teksa po lëvizte me automjetin e tij në drejtim të selisë së partisë.

Atij iu vunë prangat pranë mbikalimit të Kamzës nga efektivët e BKH-së, të ndihmuar edhe nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, një dëshmitar okular ka raportuar ekskluzivisht për Media Ditarin se arrestimi i Ilir Metës është shoqëruar me tensione mes bodyguardëve të Metës dhe efektivëve të BKH-së.

Sipas tij, truprojat e Metës dhe efektivët janë përplasur ashpër dhe janë goditur edhe me grushta, ndërsa në një moment kanë nxjerrë edhe armët, por që fatmirësisht nuk i kanë shkrepur, duke shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.

Më pas efektivët kanë arritur t’i ndalojnë dhe kanë bërë edhe arrestimin e ish-Presidentit Meta, i cili po dërgohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.