Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është arrestuar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ai është ndaluar nga agjentët e BKH-së pranë zonës së “Casa Italia”, në Tiranë.
Ende nuk dihen akuzat që rëndojnë mbi të, teksa pritet që të zbulohet më tepër në lidhje me prangosjen e tij, teksa ai është paraqitur më herët në SPAK për aferën CEZ-DIA.
Gjithashtu Meta ishte nën hetim pë fshehje pasurie dhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA. Ndërkohë, është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin, teksa janë edhe dy masa të tjera sigurie për dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.
Ilir Meta është një nga politikanët më jetëgjatë në Shqipëri, i cili ka mbajtur postet më të larta të vendit. Ai ka shërbyer si kryeministër, si President i Shqipërisë, si ministër dhe si Kryetar i Kuvendit.
Meta është zgjedhur deputet për herë të parë në vitin 1992 nga Partia Socialiste, ndërkohë që në vitin 2004 themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim.