Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi ka folur për mediat pas incidentit që pati me një nga efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Baçi thotë se polici i drejtoi armën dhe ia vendosi në gjoks dhe kjo akuzë u ngrit edhe nga deputetët e tjerë të PD, ndërsa policia nga ana tjetër mohon akuzat.
“Ne ishim duke hyrë brenda dhe e gjithë policia me skafandra… nxori pistoletën dhe ma vendosi te gjoksi, duke më shtyrë tutje. Ata plehra që janë aty. E nxori pistoletën dhe pastaj nisi të gjuajë me atë. Aty ishin shumë, por me mua u përplasën”, tha Baçi.
Në reagimin e policisë, përgënjeshtrohet deklarata e deputetëve dhe thuhet se forcat e policisë kishin marrë masa për sigurinë e institucioneve, në rast sulmi nga protestuesit.
Policia thotë se bazuar në ligjin “për tubimet”, asnjë punonjës nuk kishte armë zjarri.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.
Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.