Deputeti Agron Shehaj, I cili nuk arriti dot të realizonte interpelancën e kërkuar prej tij me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, ka folur jashtë Kuvendit.
Brenda sallës pati përplasje dhe tensione të shkaktuara nga deputetët e opozitës, për shkak se nuk po lejoheshin të futeshin në Kuvend, deputetët demokratë që nuk janë përjashtuar.
Shehaj i bëri thirrje Spiropalit që të lejonte deputetët të futeshin, por kryetarja e Kuvendit e hoqi përgjegjësinë nga vetja.
Në këto kushte, interpelanca nuk u realizua dot.
I pyetur për këtë, jashtë Kuvendit Shehaj tha se në atë situatë nuk mund të bëhej interpelanca dhe se opozita është e vendosur me shpatulla pas murit.
“Kisha dy muaj që kërkoja interpelancë lidhur me trafikimin e mbetjeve toksike me ministren Kumbaro. Kjo ishte e pamundur të bëhej pasi një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës nuk u lejuan të hynë në parlament. Po them këtu atë që kisha ndërmend të thoja në parlament. Mbetjet toksike jo vetëm janë eksportuar, por edhe janë importuar. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se Shqipëria është bërë dhe porti i Durrësit është bërë një nga pikat ku çdo tre muaj bëhen trafikim me ngarkesa të mëdha të mbetjeve toksike.
Mjafton të shikojmë një skemë mashtrimi të kompanisë Sokolaj e cila ka krijuar një kompani tjetër në Kroaci thjesht për të maskuar trafikimin e mbetjeve toksike. Prokuroria duhet të kishte marrë minimalisht në pyetje ministren e mjedisit e cila ka përgjegjësinë për monitorimin e mbetjeve toksike, por pandëshkueshmëria vazhdon të mbizotërojë.
Nuk u tërhoqa, por si mund ta bëja në atë situatë. Në fund të fundit, Kuvendi është e vetmja mundësi që kemi për të folur. Unë mendoj që duhet një mënyrë tjetër, nuk mjafton mosbindja civile. Në kushtet kur mazhoranca ka ndikim më të madh në media, Kuvend është i vetmi vend ku mund të flasim. Jemi në kushtet ku opozita është me shpatulla pas muri. Kur kapen ministra duke vjedhur, ministrja nuk humbet as mandatin, ndërkohë kemi kryetarin e opozitës që është në burg.”, tha Shehaj.