Varhelyi: Shqipëria mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare e BE në fund të mandatit të ardhshëm

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi u shpreh sot se Shqipëria me zhvillimin që ka pasur, mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare e BE në fund të mandatit të ardhshëm.

Deklarata e tij u bë gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e jashtëm hungarez dhe kryeministrin Rama në Luksemburg, ku po mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

Komisioneri, Oliver Varhelyi theksoi se BE e ka përshpejtuar ritmin dhe vendet kandidate duhet të bëjnë më shumë në përmbushjen e reformave.

“Mendoj që po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot. Kjo nënkupton që tashmë është çelur rruga për bisedimet thelbësore dhe do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE. Kjo është ajo çfarë po ndodh sot. Falenderoj presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin jo vetëm si përparësi, por duke i kushtuar përpjekje çka nënkupton që të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara dhe drejt përmbylljes së bisedimeve. Është e padiskutueshme për BE që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Sepse pa zgjerimin Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Krahasuar me pikën ku e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara.Më kujtohet dita e parë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Edi Ramën sepse u përballën me një tërmet. Ndërhym për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi pjesën tjetër të mandatit dhe solli një qasje të re. Ajo çfarë trashëgova ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur. Kishim tre përpjekje të dështuara. Kjo ishte pika nga më duhej ta filloja. U desh që politika e zgjerimit të ngrihej një herë në këmbë pastaj të merreshim me integrimin e mirëfillte dhe të dinim se si të arrinim ekonomi, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor përpara anëtarësimit. E para ishte të hartonim një metodologji të re dhe e treta është Plani i Rritjes që tashmë po e përshpejton zgjerimin dhe për të bërë të mundur që në fund të mandatit të komisionit të ardhshëm ne të mund të shohim edhe kryeministrin Rama që të japë propozimin për komisionerin e parë në komision”- u shpreh Varhelyi.