Një 59 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi në gjendje të dehur tentoi që të vriste një 26 vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur dje në lagjen “Haxhias” të Elbasanit, ku A.K, 59 vjeç ka tentuar të vrasë me thikë 26 vjeçarin D.B, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërsa në pranga ka rënë edhe mjeku i spitalit ku mori mjekim 26-vjeçari. Ky i fundit akuzohet për shpërdorim të detyrës pasi ka tentuar të fshehë ngjarjen, pasi nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit.
“Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta operacionale dhe inteligjencës policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit A. K., 59 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K., mesnatën e djeshme, në lagjen “Haxhias”, në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se mjeku i rojes, në spitalin ku ka marr mjekim 26-vjeçari, nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit. Për këtë arsye Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij.
Urdhër ndalimi i Prokurorisë është ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të cilët kanë ndaluar mjekun roje në spitalin ku ka marrë mjekim 26-vjeçari, shtetasin K. D., 32 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.