Rriten pagat e Forcave të Armatosura, ministri Pirro Vengu: Vlerësojmë profesionistët në uniformë

Forcat e Armatosura do të përfitojnë rritje të konsiderueshme të pagës, sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave.

Rritja do të shkojë nga 50 mijë deri në 70 mijë lekë të reja për efektivët e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, ndërsa për Agjencinë e Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit shtesa shkon nga 35 mijë në 40 mijë lekë.

Gjithashtu, për kushte  të veçanta pune për FA të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, rritja e pagës shkon nga 13 mijë në 20 mijë lekë.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se sot po vlerësohen më shumë se kurrë profesionistët në uniformë të forcave të Armatosura.

“Efektivët e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit dhe ata të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përfitojnë rritje të konsiderueshme në pagesën shtesë për kushte të veçanta pune e shërbimi”, theksoi ministri ndër të tjera.