45 vjeçari shqiptar, i cili plagosi me armë djalin 18 vjeçar të partneres së tij, do të mbetet në burg. Gjykata e Milanos ka caktuar masën “arrest me burg” për shqiptarin Minako.M, me profesion shoferi kamioni, i cili akuzohet për tentativë vrasje dhe posedim mallrash të vjedhura.
Policia ka rindërtuar të gjithë skenën e ngjarjes së rëndë dhe thuhet se shqiptari sulmoi partneren e tij, një grua ukrainase, gjatë një mosmarrëveshjeje të dhunshme në familje.
Kur shqiptari ka goditur partneren ka ndërhyrë fëmija i vogël i saj, një djalë 15-vjeçar, në përpjekje për të mbrojtur nënën e tij nga dhuna. Në pamundësi për të ndaluar sulmin, i riu ka telefonua vëllain e tij të madh, 18 vjeç, i cili në atë moment ndodhej jashtë shtëpisë me disa shokë.
Kur djali i madh është kthyer në banesë i shoqëruar nga katër shokë, situata ka degraduar. Mësohet se Minako M., i tërbuar, ka kapur armën dhe ka qëlluar të riun në qafë.
Menjëherë pas ngjarjes, djali është transportuar me urgjencë në spitalin Niguarda, dhe i është nënshtruar një operacioni delikat. Gjendja e tij ka mbetur kritike edhe në orët në vijim, por fatmirësisht pas operacionit mjekët tha se ai ka shënuar një përmirësim të lehtë.