Ish ministri Fatmir Mediu kërkesë në GJKKO: Të ripërsëritet akt-ekspertimi i dëmit ekonomiko-financiar

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është paraqitur sot përpara GJKKO ku ka kërkuar ripërsëritjen e akt ekspertimit të dëmit ekonomik, për çështjen “Gërdeci”.

Sipas avokatëve të Mediut, ekspertët nuk kanë marrë parasysh një shkresë të kombinatit mekanik të Poliçanit, të vitit 2007, ku përllogariten kostot e demontimit të munivioneve, duke i konsideruar të dhënat e saj të falsifikuara.

Avokati Henrik Ligori i tha gjykatës se mbi dyshimet për falsifikim janë kallëzuar penalisht tre zyrtarë të kombinatit, por më pas gjykata e Beratit, ajo e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Lartë kanë pushuar akuzën ndaj tyre.

Në këto kushte, tha avokati Ligori, të dhënat e shkresës në fjalë kanë qenë të sakta.

Më herët, avokati ka thënë se ekspertët kanë qenë në papajtueshmëri, pasi nuk ishin të licensuar, por ishin nëpunës civilë pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave, si dhe njëri prej tyre ishte me formim ushtarak.

Në vijim, avokati i kërkoi gjykatës të marrë në cilësinë e provës tre vendimet gjyqësore dhe të urdhërojë kryerjen e një akt-ekspertimi të ri të pjesshëm. 

Kujtojmë se në maj të këtij viti, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të rrëzojë kërkesën e Mediut për kryerjen e një ekspertimi të ri tekniko-financiar.