Është hapur zyrtarisht gara për të zgjedhur drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut pak ditë më parë.
Ministria e Brendshme ka shpallur sot thirrjen për aplikim në këtë post të rëndësishëm ku janë evidentuar kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për pozicionin e lartë drejtues, dokumentacionin, mënyrën, afatin e dorëzimit dhe vlerësimit.
Aplikantët kanë 7 ditë kohë për të aplikuar, teksa duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë brenda datës 17 shtator.
Më pas, këto kandidatura do të vlerësohen paraprakisht nga një Komision i Posaçëm, që do të ketë në përbërje një zv.ministër të brendshëm, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Janë disa kritere që duhet të plotësojnë kandidatët që konkurojnë për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit: grada e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare; të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë; të mos ketë marrë masat disiplinore brenda 5 vjetëve të fundit, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse, si dhe të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.