Zjarri masiv në fabrikën e plastikës në Bradashesh, shpallet në kërkim administratori i kompanisë

Policia ka shpallur në kërkim administratorin e fabrikës së prodhimit të plastikës në zonën e ish-kombinatit Metalurgjik në Elbasan që u përfshi dje nga një zjarr i madh.

Zjarri që dyshohet se ndodhi nga një shkëndijë elektrike, mori përmasa të mëdha në vetëm pak minuta, ndërsa tymi pushtoi zonën. Flakët dhe tymi që vijuan për disa orë shkaktuan ndotje në Elbasan.

“Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin 54 vjeç, me detyrë administrator në një kompani për prodhimin e plastikës, pasi në fabrikën plastike, në fshatin Bradashesh, ka rënë zjarr dhe si pasojë e tymit të çliruar u shkaktua ndotje e ajrit. Vijon puna për kapjen e 54-vjeçarit, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.