Shi dhe erë e fortë në qytetet bregdetare, pushuesit braktisin plazhet e Vlorës dhe Durrësit

Temperaturat ekstreme dhe i nxehti afrikan i lanë radhën sot motit me shi dhe stuhi që preku disa prej qyteteve në vend.

Plazhet e Durrësit dhe Vlorës janë boshatisur mesditën e kësaj të hëne për shkak të reshjeve të shiut të shoqëruara dhe me erë të fortë.

Reshjet e shiut kanë bërë që pushuesit në Durrës të boshatisnin shezlonget me një pamje të pazakonte për periudhën ku ndodhemi.

Në Vlorë kushtet atmosferike ngjasonin me ato të dimrit, ku era e fortë dhe reshjet e shiut kanë detyruar pushuesit të boshatisin plazhet dhe shëtitoren buzë Lungomares.

Por dielli dhe temperaturat e larta pritet të rikthehen sërish ditën e mërkurë.