Bllofi i Ramës me vrasjen në Pogradec, reagon sërish pa u njohur me verdiktin e Prokurorisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të dytë brenda pak orësh ë lidhje me vrasjen e 42 vjeçarit Egli Proga në Pogradec, duke marrë sërish ne mbrojtje policinë.

Rama thotë se autori nuk është vetëdorëzuar, por ai u arrestua pas punës së policisë ndersa sulmoi serish mediat, siç bëri edhe më herët drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Por kreu i qeverise duket se nuk ka qenë në dijeni të deklaratës së Prokurorisë Korçë.

Kjo e fundit me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Pogradec, pranoi se ngjarja u raportua e pasaktë nga vetë strukturat dhe se prokurorit i është komunikuar nga Salla Operative, se një person i dehur është rrëzuar dhe si pasojë ka humbur jetën në spital. 

Sipas Prokurorisë, inspektori i policisë, Artur Lilo tashmë nën hetim ka komunikuar se Proga ka qenë i pirë dhe i rrëzuar, duke mos dëgjuar një nga dëshimtarët e ngjarjes, kushëri të viktimës, i cili i kishte raportuar se 42 vjeçari ishte dhunuar.

Reagimi:

Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!

Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.

Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit.

Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.