Situata me zjarret ka qenë alarmante në vendin tonë, ndërsa para pak ditësh si pasojë e flakëve u rrezikua Parku Arkeologjik në Finiq. Në disa vatra zjarri ka qenë e pamundur ndërhyrja nga toka, për shkak të terrenit të vështirë.
Prej më shumë se 2 muajsh zjarret vazhdojnë të djegin në Shqipëri me mijëra hektarë pyje dhe kullota.
Ndërkohë Komisioni i BE-së po përgatitet të dërgojë mbështetje urgjente për Greqinë dhe Shqipërinë për të ndihmuar të dy vendet të menaxhojnë zjarret e mëdha. Në Greqinë fqinje ditën e djeshme u regjistrua edhe viktima e parë nga zjarret.
Mbështetja për Greqinë do të përbëhet nga burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve, të cilat do të sigurohen nga vende të tjera evropiane nën Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Këtu përfshihen dy avionë rescEU nga Italia, një helikopter rescEU nga Franca, një helikopter i ofruar nga Serbia, si dhe më shumë ekipe zjarrfikëse në terren nga Republika Çeke, Franca, Italia, Rumania dhe Serbia.
Shqipëria do të marrë një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania, i cili mund të transportojë deri në 6 tonë ujë.