Zjarr në Parkun Kombëtar të Tomorrit, flakët po djegin kurorën me pisha, ndërhyrja nga toka e vështirë

Një vatër zjarri është regjistruar pak pas mesdite në zonën e Parkut Kombëtar të Tomorrit në Berat, duke djegur kurorën me pisha.

Vatra e zjarrit ndodhet në zonën e “Majës së Çukës”, aty ku mbahet pelegrinazhi i përvitshëm i besimtarëve bektashinj dhe flakët po përhapen me rrezikshmëri edhe për shkak të erës dhe terrenit të thyer.

Drejt vendngjarjes janë nisur dhjetëra punonjës të zjarrfikëses, pyjores dhe policisë së Skraparit dhe Poliçanit. Ndërhyrja nga terreni cilësohet e vështirë, teksa pritet të kërkohet edhe ndihma nga ajri.

Kujtojmë se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin nga veriu në jug ka pasur 47 vatra zjarri nga të cilat falë ndërhyrjes së zjarrfikëseve 36 u fikën ndërsa 11 vijojnë të jenë aktive.