Pësoi djegie në fytyrë dhe trup duke luftuar me flakët, zjarrfikësi flet nga spitali: Rrezikoheshin familjet dhe banesat

Dy efektivë të forcave zjarrfikëse, janë lënduar gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Dropull. Ata kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës.

Njëri prej zjarrfikësve ka djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa tjetri probleme si shkak i asfiksisë nga tymi. Aktualisht gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha.

Njëri prej tyre, Romeo Sulejmani, ka marrë djegie të shkallës së dytë e të tretë. Për të parë gjendjen e tij Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrëfikësve Arben Cara vizitoi efektivin në spital.

Cara ka shprehur gatishmërinë për transferimin e efektivit zjarrfikës drejt Tiranës.

“Fatmirësisht shkalla e djegies nuk është aq e rëndë sa ta komplikojë situatën. Jemi gati që të bëjmë gjithçka për shërimin e tij, jemi gati për ta çuar jo vetëm drejt Tiranën, por nëse duhet edhe në vende të tjera. Zjarret kanë bërë dëme në bimësi dhe pyje, nuk ka dëme në banesa. Vatrat e zjarrit janë shkuar në zonën e Dropullit dhe vijon në qafën e Muzinës”, tha ai.

Vetë zjarrfikësi nga Përmeti rrëfeu momentet e përballjes me zjarrin.

“Kemi luftuar me flakët për orë të tëra, shumë zona janë fikur. Kemi shkuar në zonat malore sepse kishim makinë vetëm për zonat malore dhe kemi shpëtuar një kishë. Pastaj jemi rikthyer dhe fikëm vatra të tjera zjarri, pastaj zjarri rrezikonte familjet dhe jemi futur për ta shuar”, u shpreh efektivi.