Turistja italiane tenton të trafikojë drogë nga Shqipëria drejt Greqisë, e kishte fshehur lëndën narkotike në një qese mbeturinash

Një italiane ka rënë në prangat e policisë në Kapshticë, pasi tentoi që të trafikonte drogë drejt Greqisë. 31 vjeçarja italiane mësohet se po udhëtonte drejt shtetit fqinj së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, ndërkohë që kishte fshehur 300 gram kanabis në një qese mbeturinash.

Droga u gjet gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po udhëtonte e reja, me familjen e saj. Pas zbulimit të lëndës narkotike, ajo ka deklaruar se e kishte për përdorim vetjak, ndërsa është arrestuar nga policia.

Kontrollet në doganën e Kapshticës janë rritur ndjeshëm edhe për shkak të shtimit të fluksit të lëvizjeve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të ndryshme të paligjshme.