Si abuzuan policët e Korçës nga fondet e Frontex, falsifikonin dietat në hotele luksoze, futën në xhep mijëra euro

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me pezullimin nga detyra të 19 punonjësve të policisë, të cilat aluzohen se kanë abuzuar me fondet e shërbimit të Frontex.

Për një periudhë 3 vjeçare drejtues të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Korçë dhe vartës të tyre, kanë kryer transferime fiktive të punonjësve, kanë lejuar që punonjësit nëpërmjet falsifikimit të faturave të hoteleve të ndryshme të përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga fondet e Frontex. Demi llogaritet rreth gjysmë milion euro.

Në dosjen hetimore që Top Channel disponon, rezulton se nga punonjësit e policisë në nivelin drejtues, janë nxjerrë një numër i konsiderueshëm urdhra transferimi fiktivë në Stacione të ndryshme të Policisë Kufitare.

Megjithëse punonjësit planizoheshin dhe punonin në Kapshticë ata regjistroheshin sikur punonin në Shtikë dhe Leskovik për të marre pagë bonus për shkak të largësisë.  Po ashtu punonjës të ndryshëm paraqisnin në Sektorin e Financës në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, dokumentacione fiktive sikur akomodoheshin në hotele të ndryshme për të marrë nga Frontex fonde për akomodim kur në fakt rezultonte se punonjësit akomodoheshin në banesa me qera që e ndanin më shumë se 2 persona dhe pagesa mujore shkonte maksimumi 200 euro.

Me fatura të falsifikuara hetimi ka zbuluar se janë lëvruar shuma në euro, të cilat përfshinin shpenzime akomodimi, fjetje, apo dieta të ndryshme. Po ashtu është konstatuar një fryrje e ditëve të shërbimit pranë Frontex ku nga 10 – 14 ditë punë punonjësit deklaronin se kishin punuar 30 ditë.