Ministrja Koçiu reagon pas disa orësh për skandalin te Onkologjiku, njofton shkarkimin e mjekëve që çonin të sëmurët me kancer te privati

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka reaguar pas disa orësh pas skandalit të madh te Onkologjiku, ku mjekët i dërgonin pacientët e sëmurë me kancer te klinikat private me qëllim, përfitimin ekonomik.

Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes me stafin e këtij pavioni, ministrja ka thënë se është e patolerueshme ajo që ka ndodhur.

Pas një mbledhjeje disa orëshe në QSUT, ministrja Koçiu u ka komunikuar mjekëve largimin nga detyra.

“Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit  e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”, tha ministrja pas mbledhjes në drejtorinë e QSUT-së.

Mjeku Gashi dyshohet të jetë dhe organizator i kësaj skeme. Ai në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij, Halil Gashi. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.